KRU Gjakova ka njoftuar qytetarët për vështirësitë e shkaktuara nga reshjet e fundit dhe rrjedhja e ujërave atmosferikë dhe të ndotura, të cilat kanë krijuar probleme në disa objekte në qytet. Sipas kompanisë, shumica e defekteve lidhen me podrumet që janë ndërtuar nën nivelin e lejuar të kanalizimit, në kundërshtim me rregullat teknike, dhe për këtë arsye rregullimi i tyre mbetet përgjegjësi e pronarëve. “Kompania jonë nuk mund të ndërhyjë në këto raste, por po bën maksimumin e mundshëm për të menaxhuar situatën. Aktualisht, dy ekipe tona janë duke punuar në terren për të adresuar problematikat e tjera”, thuhet në njoftimin e KRU-së. Po ashtu, kompania apelon te qytetarët që të mos hedhin materiale në rrjetin e kanalizimit, pasi kjo pengon rrjedhjen normale të ujërave dhe mund të shkaktojë bllokime të reja. / Telegrafi /