Policia e Kosovës kërkon ndihmën e qytetarëve për gjetjen e Riza Thaqit nga Prizreni

Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim Riza (Rrustem) Thaqin, i lindur më 15.10.1983 në Rogovë të Hasit, Komuna e Gjakovës, me vendbanim në Prizren, i cili është raportuar i zhdukur që nga data 23 dhjetor 2025. Sipas njoftimit zyrtar, rasti është raportuar nga familjarët më 25 dhjetor 2025. Menjëherë pas raportimit, Sektori Rajonal i Hetimeve i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren ka iniciuar rastin dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, por deri më tani personi i zhdukur nuk është gjetur. Me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prizren, në përputhje me nenin 76, paragrafi 2 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, Policia ka publikuar fotografitë e Riza Thaqit në media televizive dhe rrjete sociale, me qëllim të ndriçimit të rastit dhe lokalizimit të tij. Policia e Kosovës u bën thirrje të gjithë qytetarëve që, nëse kanë çfarëdo informate apo dinë diçka për vendndodhjen e personit në fjalë, të raportojnë menjëherë në numrin emergjent 192, në faqen zyrtare të Policisë së Kosovës në Facebook, ose në cilindo stacion policor në Kosovë.