“Klithma” që nuk shuhet

Libri i ri i Alketa Gashi Fazliu sjell zërin e fëmijëve të luftës, të rritur sot, por me plagë që flasin ende “ Klithma ” është libri më i ri me klithmat dëshmuese të një lufte që e harron vetëm autori dhe shkaktuesi i saj, por që e ka të tatuuar, të paheqshëm, në shpirt një popull i tërë me martirë dhe lëndime. Në këto rrëfime ka dritë fjale dhe ndërgjegjeje të viktimave-fëmijë, të cilët sot, në moshë madhore, kërkojnë një botë më të bukur, më të drejtë dhe me shpirt njerëzor. Janë heronj të heshtur, për të cilët krenaria nuk vjen nga fjalët e mëdha, por nga qëndrueshmëria përballë dhimbjes dhe nga jeta që vazhdojnë ta ndërtojnë çdo ditë, si qytetarë të Kosovës sime, rrëfen autorja me një zë që vjen nga thellësia e kujtesës dhe përgjegjësisë morale. Ky libër nuk është vetëm dëshmi, por edhe kujtesë morale. Ai i fton lexuesit të mos harrojnë se pas çdo plage ka një histori jete, pas çdo heshtjeje një klithmë dhe pas çdo fëmije të gjymtuar - një forcë njerëzore që refuzon të dorëzohet. “Klithma” është thirrje për ndërgjegje, drejtësi dhe empati. Autorja, Alketa Gashi Fazliu, është një emër i njohur në letërsinë shqipe, me disa libra të botuar më herët, ndër të cilët veçohen “Pikë”, “Ato gdhendin dhimbjen” dhe “Gjarpri i fqinjit”. Ajo është autore e rreth 15 veprave letrare, disa prej të cilave janë përkthyer në anglisht dhe frëngjisht. /Telegrafi/