Legjenda Rio Ferdinand ka bërë një deklaratë të fortë, duke pretenduar se Mikel Arteta do ta merrte seriozisht në konsideratë largimin nga Arsenali, kandidat për titull në Liga Premier, për të marrë drejtimin e Manchester United pas shkarkimit të Ruben Amorim. United njoftoi të hënën një vendim befasues, duke bërë të ditur se kishte “marrë me keqardhje vendimin” për t’i dhënë fund bashkëpunimit me Amorim, pas 14 muajsh të ngarkuar në krye të skuadrës në “Old Trafford”. Pas barazimit 1-1 ndaj Leeds United të dielën, ishte kuptuar se pozita e trajnerit 40-vjeçar ishte në rrezik, veçanërisht pas deklaratave të tij që u interpretuan si kritika ndaj hierarkisë së klubit. Ish-mesfushori i United, Darren Fletcher, pritet të marrë përkohësisht drejtimin e skuadrës për ndeshjen e së mërkurës ndaj Burnleyt në Ligën Premier, ndërsa klubi raportohet se është i interesuar të emërojë një trajner të përkohshëm deri në fund të sezonit. Sipas Ferdinandit, megjithatë, ka vetëm një trajner aktual në Liga Premier që nuk do ta mendonte aspak marrjen e drejtimit të Manchester United dhe ai është Pep Guardiola. “Unai Emery do të ishte dikush që do të hidhej menjëherë në këtë mundësi", ka thënë Ferdinand në kanalin e tij në YouTube, “Rio Ferdinand Presents”. “Pep Guardiola është i vetmi trajner në ligë për të cilin mendoj se do të ulej dhe do të thoshte: ‘Jam i kënaqur aty ku jam, jam i lumtur dhe nuk kam nevojë për këtë’”. “Ai nuk do ta thotë kurrë publikisht, nuk do ta pranonte kurrë me zë të lartë. Por po ju them, Mikel Arteta do të ulej dhe do ta mendonte seriozisht”. Ruben Amorim drejtoi Manchester United në total në 63 ndeshje në të gjitha garat, duke regjistruar 24 fitore, 18 barazime dhe 21 humbje. Ai arriti ta çojë ekipin në finalen e Ligës së Evropës sezonin e kaluar, ku “Djajtë e Kuq” u mposhtën 1-0 nga Tottenham në ndeshjen finale./ Telegrafi