SBASHK paralajmëron veprime sindikale: Nuk kthehemi në mësim pa siguri pas vërshimeve

Sindikatat e Bashkuara të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) kanë reaguar lidhur me situatën e krijuar në shumë shkolla të vendit pas reshjeve të shumta të shiut dhe përmbytjeve të ditëve të fundit, duke e cilësuar gjendjen si rrezik serioz për sigurinë e nxënësve dhe punëtorëve të arsimit. Sipas SBASHK-ut, kjo situatë ka dëshmuar edhe një herë se infrastruktura shkollore në Kosovë mbetet e pambrojtur, ndërsa reagimi institucional shpesh ndodh vetëm pas presionit dhe shqetësimit publik. "SBASHK përkrah vendimet e disa Drejtorive Komunale të Arsimit, si dhe vendimin e MAShTI-t për shtyrjen e fillimit të gjysmëvjetorit të dytë deri më 12 janar 2026, duke vlerësuar se siguria e nxënësve dhe punëtorëve të arsimit duhet të jetë mbi çdo interes tjetër", thuhet në njoftim. Megjithatë, sindikata vlerëson se shtyrja e mësimit nuk është e mjaftueshme nëse nuk shoqërohet me veprime konkrete në terren. Për këtë arsye, SBASHK ka kërkuar urgjentisht inspektime të menjëhershme dhe të detajuara në të gjitha shkollat, vlerësim real të gjendjes së objekteve shkollore, sanim të menjëhershëm të dëmeve dhe eliminim të çdo rreziku potencial për nxënësit dhe mësimdhënësit, si dhe transparencë e përgjegjësi institucionale. Në veçanti, SBASHK ka kërkuar inspektime urgjente në komunat më të prekura nga përmbytjet, përfshirë Drenasin, Malishevën, Suharekën, Fushë Kosovën, Klinën, Gjakovën, Dragashin dhe komunat e tjera ku janë raportuar dëme serioze në objektet shkollore. Në reagimin e saj, sindikata ka lëshuar edhe paralajmërim sindikal, duke theksuar se nuk do të lejojë kthimin në procesin mësimor pa u garantuar kushte të sigurta pune dhe mësimi. Në rast se institucionet përgjegjëse dështojnë të veprojnë me kohë dhe seriozitet, SBASHK ka paralajmëruar se do të ndërmarrë veprime sindikale në mbrojtje të jetës, shëndetit dhe dinjitetit të anëtarëve të saj. "SBASHK nuk do të lejojë kthimin në procesin mësimor pa u garantuar kushte të sigurta pune dhe mësimi. Nëse institucionet përgjegjëse dështojnë të veprojnë me kohë dhe seriozitet, SBASHK do të ndërmarrë veprime sindikale, në mbrojtje të jetës, shëndetit dhe dinjitetit të anëtarësisë së saj.Siguria nuk negociohet", thuhet në reagim. /Telegrafi/