E THELLË, E LARTË, E LARGËT ËSHTË JETA

Nga: Kahlil Gibran (pjesë nga Kopshti i Profetit ) Përktheu: Maksim Rakipaj U drodh nga mallëngjimi zemra e tij dhe ai tha: “Më e lashtë është Jeta nga cilado gjallesë; madje bukuria ka pasur flatra përpara se të zbriste mbi dhé, madje dhe e vërteta e vërtetë pati qenë përpara se ta shqiptonin. “Jeta në heshtjen tonë këndon, në përgjumjen tonë ëndërron. Madje, edhe kur përtokë jemi, dhe të sfilitur, Jeta fronëzuar rri dhe lart fare. Edhe kur ne qajmë, Jeta ditës i buzëqesh, e lirë është Ajo edhe kur ne zvarrë me vargonj na tërheqin. Shpesh rëndë na flet e na shan Jeta, por vetëm kur vetë ne të nxirë e të sterruar jemi. Dhe Asaj të zbrazët e të kotë i dukemi, por vetëm kur shpirti ynë nëpër vende të shkreta shkon e endet dhe zemra dehur është me mendjemadhësinë e saj. “E thellë, e lartë, e largët është Jeta; dhe sado syri juaj as këmbët s’mund t’ia kapë, prapëseprapë pranë e ke Atë; dhe sado që veç fryma e frymës sate shkon në zemër të Saj, hije e hijes sate kalon mbi fytyrën e Saj, jehona e thirrjes sate më të dobët pranverë dhe vjeshtë i bëhet në gji. “E mbuluar dhe fshehur rri Jeta, kur vetë ju, më së shumti mbuluar dhe fshehur qëndroni. Dhe kur Jeta flet, gjithë erërat fjalë bëhen; dhe kur Ajo flet përsëri, buzëqeshja në buzët tuaja dhe lotët në sytë tuaj në fjalë shndërrohen. Kur Jeta këndon, i shurdhëri rri e dëgjon; Kur ecën Ajo, i verbëri e sheh dhe i mahnitur pas i vete.” Kur ai pushoi së foluri, një heshtje e thellë mbështolli njerëzinë dhe në atë heshtje një këngë e padëgjuar më parë qe dhe ata të ngushëlluar u ndien në vetminë dhe dhimbjen e tyre. _________________ Lexo po ashtu nga Kahlil Gibran: - Thirrja më e bukur: Nëna ime - Mjerë ai komb që si udhëheqës ka dhelprën, si filozof magjistarin dhe si artistë laramanët dhe imituesit - Ju keni Libanin tuaj, unë kam timin - Martirët e ligjit të njeriut - Populli dhe tirani ...