Skuadra e Arsimit nga Çegrani i Gostivarit ka hyrë në fazën përfundimtare të përgatitjeve për pjesën e dytë të sezonit në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut. Skuadra nga Çegrani, që garon në elitën e futbollit vendor, nga sot ndodhet në Kroaci, ku do të zhvillojë fazën e parë përgatitore e cila do të zgjasë dhjetë ditë, njofton Telegrafi. Nën udhëheqjen e trajnerit Vildan Saliu, ekipi përveç punës intensive në stërvitje, do të testohet edhe përmes katër ndeshjeve kontrolluese. Programi i deritanishëm parasheh përballje ndaj skuadrave kroate Sllaven Bellupo si dhe duelet kundër Vukovarit dhe Primorjes. Emri i kundërshtarit për ndeshjen e katërt pritet të bëhet i ditur së shpejti. Paralelisht me përgatitjet, klubi po punon edhe në përforcimin e ekipit. Afati kalimtar dimëror ka sjellë një emër të njohur për mesfushën, Hogan Ukpa, futbollist nigerian me përvojë në kampionatin tonë, i cili për tre sezone ka mbrojtur ngjyrat e Struga Trim Lum. Kujtojmë se Arsimi, si debutues në elitë, ka zhvilluar një gjysmësezon vjeshtor mjaft të suksesshëm, duke e mbyllur atë në vendin e pestë me 22 pikë dhe duke u konfirmuar si një nga befasitë më pozitive të kampionatit. /Telegrafi/