Rezultatet më të fundit të një hulumtimi të Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se 10 për qind e nxënësve të shkollave të mesme të moshës 15 dhe 16 vjeç në Maqedoninë e Veriut kanë përdorur ilaçe kundër dhimbjes, kanë marrë analgjetikë pa nevojë mjekësore. Hulumtimi , i realizuar me mbi 2.800 nxënës , ngre çështje serioze për rritjen e zakoneve të rrezikshme tek të rinjtë . Prej tyre, 6,6% kanë përdorur sedativë ose qetësues pa recetë. Ekspertët paralajmërojnë se ky lloj keqpërdorimi është veçanërisht i rrezikshëm, pasi ilaçet shpesh perceptohen si më “të sigurta” se drogat dhe janë lehtësisht të disponueshme në shtëpi. Sa i përket kanabisit, 5% e nxënësve kanë deklaruar se e kanë përdorur të paktën një herë në jetë, 4,3% gjatë vitit të fundit dhe 2,6% gjatë muajit të fundit. Edhe pse këto shifra kanë mbetur relativisht të qëndrueshme gjatë 15 viteve të fundit, ISHP vlerëson se kanabisi mbetet pjesë e “normalizuar” e sjelljes së rrezikshme tek adoleshentët. Përdorimi i drogave më të rënda si kokaina, amfetaminat dhe ekstazia është nën 2%, por shqetësues mbetet fakti se një pjesë e nxënësve fillojnë përdorimin e kanabisit në moshën 13 vjeç ose edhe më herët, më shpesh djem sesa vajza. Në hulumtim është përmendur edhe problemi me abuzimin me alkoolin si dhe përdorimi i cigareve elektronike.