Një makinë luksoze e llojit “BMW M8”, e vjedhur në Gjermani, është gjetur në Tiranë. Sipas njoftimit të Policisë, ajo dyshohet të jetë trafikuar dhe shitur në Tiranë nga një shtetas shqiptar i Kosovës. Policia ka proceduar penalisht blerësin e automjetit të trafikuar, i cili ishte njëkohësisht edhe drejtues i tij në momentin e ndalimit në Vorë ndërsa ka shpallur në kërkim shtetasin kosovar që dyshohet se ka trafikuar këtë automjet në Shqipëri. “Si rezultat i operacionit “Stolen Line”, u sekuestrua një automjet tip “BMW M8”, me vlerë rreth 140,000 euro, i cili nga verifikimet rezultoi i vjedhur në Gjermani. Në lidhje me këtë rast, u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi që dyshohet se e ka sjellë automjetin në Shqipëri me qëllim shitjen, F. H., 42 vjeç (shtetas kosovar), si dhe u procedua penalisht blerësi i automjetit (njëkohësisht drejtues i tij në momentin e ndalimit), E. D., 39 vjeç. Për momentin, punohet për kapjen e 42-vjeçarit. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, njofton Policia. Operacioni policor i koduar “Stolen Line”, kundër trafikimit të automjeteve luksoze të vjedhura jashtë shtetit në Shqipëri, ka çuar deri më tani në sekuestrimin e pesë automjeteve.