Në orët e mbrëmjes, presidentja Vjosa Osmani, ka vizituar Komunën e Malishevës, ku është pritur nga Kryetari i Komunës, Ekrem Kastrati. Qëllimi i vizitës ishte njoftimi i drejtpërdrejtë me gjendjen e krijuar nga reshjet e fundit dhe sfidat me të cilat po përballet Komuna e Malishevës. Kryetari Ekrem Kastrati, pasi e falënderoi Presidenten për vizitën, e informoi atë për situatën aktuale, masat e ndërmarra për menaxhimin e saj, si dhe për rreziqet potenciale me të cilat është përballur komuna. Ai theksoi se është aktivizuar Shtabi Emergjent, se ka pasur koordinim të vazhdueshëm me Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave (AME) dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), si dhe sa komuna ju ka dalë në ndihmë qytetarëve që kanë pasur nevojë. “Kemi monitoruar vazhdimisht digën e Liqenit të Mirushës, për shkak të rrezikut që mund të paraqesë ndonjë avari”. Po ashtu, kryetari Kastrati, e ka informuar presidenten edhe për dëmet e shkaktuara deri më tani. Ai po ashtu kërkoi mbështetjen e nivelit qendror për sanimin e dëmeve, kompensimin e të dëmtuarve dhe rindërtimin e infrastrukturës së dëmtuar, përfshirë digën dhe disa ura. Nga ana e saj, Osmani përgëzoi Komunën e Malishevës dhe të gjitha ekipet emergjente për menaxhimin e situatës, duke shprehur solidarizimin e plotë me qytetarët dhe institucionet lokale. Ajo theksoi se, pavarësisht situatës së vështirë, nuk ka pasur humbje jete dhe se mbrojtja e jetës së qytetarëve ka qenë prioritet. “Bashkë gjithmonë mund të punojmë në menaxhimin dhe parandalimin e situatave të tilla, sidomos tani që problemet janë identifikuar, gjë që e lehtëson marrjen e masave nga të gjitha nivelet”, tha Presidentja Osmani, duke ofruar mbështetjen e plotë të Presidencës në përballimin e situatës. Pas takimit, Osmani dhe Kryetari Kastrati vizituan digën e Liqenit të Mirushës, për t’u njohur nga afër me gjendjen dhe rrezikun eventual që mund të paraqesë ajo.