Shirat e rrëmbyeshëm gjatë ditëve të fundit nxitën vërshime në pjesë të mëdha të Kosovës, të cilat shkaktuan dëme materiale dhe detyruan autoritetet ta shtyjnë për disa ditë rifillimin e mësimit pas pushimit dimëror. Reshjet e mëdha në ditët e fundit sollën përmbytje duke shkaktuar dëme në prona dhe infrastrukturë, evakuime, si dhe bllokim rrugësh të martën. Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka bërë thirrje për ndërhyrje të menjëhershme për banorët, bizneset dhe bujqit e prekur nga përmbytjet, duke paralajmëruar rrezikun e reshjeve të reja. Sipas saj, secili banor duhet të ndihmohet, secili biznes të kompensohet dhe çdo bujk të marrë mbështetje, ndërsa çdo familje të ketë ndihmë emergjente. Ajo theksoi se shteti duhet të jetë në terren pranë qytetarëve në Drenas, Malishevë, Junik, Gjakovë dhe komunat e tjera të prekura. Bajrami kërkoi që qeveria të sigurojë fonde emergjente, të hartojë një strategji dhe të ndajë buxhet në vitin 2026 për veprime konkrete në parandalimin dhe menaxhimin e situatave të tilla në të ardhmen. Gjendja me vërshime në vend vazhdon të jetë “dinamike” në disa komuna, përfshirë Prizrenin, pasi Drini i Bardhë ka dalë nga shtrati, tha Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) në Facebook. “Në pjesën tjetër të vendit, gjendja është stabile dhe nën monitorim të vazhdueshëm”. Por, agjencia paralajmëroi se gjendja mund të përkeqësohet në rast se do të bjerë më shumë shi, “megjithatë rreziku i tanishëm vlerësohet i menaxhueshëm, me kapacitete të mjaftueshme reagimi”. Kosova është përballur me përmbytje vitet e fundit, të cilat kanë shkaktuar kryesisht dëme materiale. Vlerësohet se dëmtimi i shtretërve të lumenjve, si pasojë e nxjerrjeve të paligjshme të zhavorrit, kontribuon shumë në përmbytjen e zonave./Telegrafi.