Delet “pushtojnë” supermarketin në Gjermani, qëndruan aty për rreth 20 minuta

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në komunën Burgsinn të Bavarisë në Gjermani, ku rreth 50 dele hynë në një supermarket të rrjetit Penny. Sipas një zëdhënësi të kompanisë, delet qëndruan për rreth 20 minuta mes rafteve pranë arkave. Ende nuk dihet se çfarë i shtyu kafshët drejt dyqanit, por ato ishin shkëputur nga kopeja dhe humbën rrugën. Delet lanë jashtëqitje dhe disa shishe u thyen. Dyqani u pastrua dhe Penny njoftoi se nuk kanë ndërmend të nisin ndonjë procedurë kundër bariut. /Telegrafi/