Fulham arriti një fitore të rëndësishme 2-1 ndaj Chelseat në një përballje dramatike në kuadër të javës së 21-të në Ligën Premier. Ndeshja mori një kthesë të papritur që në minutën e 22-të, kur Marc Cucurella u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje të ashpër. Fillimisht vendimi u kontestua, por pas rishikimit me VAR, arbitri Peter Bankes konfirmoi largimin e mbrojtësit spanjoll, duke e lënë Chelsean me dhjetë lojtarë për pjesën më të madhe të ndeshjes. Pjesa e parë u shoqërua me shumë tension, ku u ndanë disa kartonë të verdhë për lojtarët dhe stafin e të dy skuadrave. Fulham mendoi se kishte kaluar në epërsi në minutën e 49-të, kur Harry Wilson realizoi, por gëzimi zgjati pak. VAR-i anuloi golin për pozicion jashtë loje në ndërtimin e aksionit, dhe skuadrat shkuan në pushim pa gola. Non-stop pressure from Fulham. pic.twitter.com/HeoBsgo6Pq — Fulham Football Club (@FulhamFC) January 7, 2026 Megjithatë, vendasit gjetën avantazhin menjëherë pas rifillimit. Në minutën e 55-të, Raul Jimenez u ngrit mbi mbrojtjen kundërshtare dhe me një goditje të saktë me kokë e dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë epërsinë Fulhamit prej 1-0. Chelsea reagoi pavarësisht inferioritetit numerik dhe arriti të barazojë në minutën e 72-të. Liam Delap ishte më i shpejti në zonë për të shfrytëzuar një top të kthyer dhe e dërgoi atë në qendër të portës për rezultatin 1-1. Kur dukej se ndeshja po shkonte drejt barazimit, Fulham goditi sërish. Në minutën e 81-të, Harry Wilson u gjend në vendin e duhur pas një rikthimi të topit brenda zonës dhe me një goditje të ulët e të saktë e çoi topin pranë shtyllës së majtë, duke vulosur fitoren 2-1 për vendasit. Minutat e fundit u menaxhuan me qetësi nga Fulham, i cili përfitoi nga epërsia numerike dhe mbrojti rezultatin deri në fishkëllimën përfundimtare./ Telegrafi / Standings provided by Sofascore