Lionel Messi, sulmuesi i Inter Miami, ka folur hapur për planet e tij për pas karrierës së futbollit dhe ka përjashtuar mundësinë që të bëhet trajner, duke treguar se dëshiron të mbetet i lidhur me futbollin në mënyrë tjetër. Intervista u zhvillua për kanalin argjentinas Luzu, ku “10-shi” surprizoi të gjithë duke folur për jetën personale, karrierën dhe planet për të ardhmen. Një ide për të pasur klubin e tij Pyetja klasike që i bëhet lojtarëve të mëdhenj për pensionimin është se çfarë do të bëjnë pas lamtumirës nga fusha. Messi u shpreh qartë: nuk e sheh veten si trajner, ashtu si bëri Diego Maradona me Kombëtaren e Argjentinës, por dëshiron të ketë një rol të ndryshëm. “Teknikisht nuk e shoh veten si trajner, por nëse do të më duhej të zgjidhja, më pëlqen ideja të jem pronar. Do të doja të kisha klubin tim, të filloja nga e para dhe të jepja mundësi për djemtë dhe njerëzit të rriten dhe të bëjnë një klub të rëndësishëm”, shpjegoi Messi, duke shtuar se tashmë ka një projekt të ngjashëm me Luis Suarezin në Uruguai. Fokus në finalet e fundit dhe planet personale Në moshën 38-vjeçare, Messi është i përqendruar te përfaqësimi i Argjentinës në Botërorin e fundit të karrierës, ku synon të mbrojë titullin e fituar në 2022. Megjithatë, ai e pranon se vitet në futboll janë të pakta dhe po mendon për të ardhmen jashtë fushës. Ai gjithashtu foli për shëndetin mendor dhe për përvojën e tij me terapinë gjatë kohës që luante te Barcelona. “Tani nuk e bëj më terapinë, por atëherë e bëja. Kam qenë shumë i mbyllur, i mbajta problemet për vete. Kam ndryshuar shumë”, shpjegoi Messi. Sulmuesi argjentinas shtoi gjithashtu se i pëlqen të kalojë kohë vetëm dhe të ketë pak paqe në shtëpi. “Më pëlqen të jem vetëm. Kur fëmijët luajnë në shtëpi ka shumë zhurmë dhe rrëmujë (qesh), ndaj herë pas here shijoj qetësinë”, deklaroi ai. /Telegrafi/