Komuna e Skenderajt apelon për kujdes të shtuar për shkak të temperaturave nën zero

Komuna e Skenderajt u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme, për shkak të parashikimeve meteorologjike që tregojnë rënie të temperaturave nën zero. “Për shkak të parashikimeve meteorologjike që tregojnë se temperaturat do të zbresin nën zero, Komuna e Skenderajt u bën thirrje të gjithë qytetarëve që, për aq sa është e mundur, të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit”, thuhet në njoftimin e komunës. Sipas njoftimit, kompanitë e kontraktuara nga Komuna do të jenë në gatishmëri të plotë për mirëmbajtjen e rrugëve, me qëllim rritjen e sigurisë në komunikacion. “Kompanitë e kontraktuara nga Komuna do të jenë në terren dhe në gatishmëri të plotë për mirëmbajtjen e rrugëve, duke bërë kriposjen dhe hedhjen e zhavorrit”, theksohet më tej. Megjithatë, autoritetet komunale kërkojnë që qytetarët të vazhdojnë të tregojnë kujdes maksimal, veçanërisht në zonat ku ekziston rreziku i rrëshqitjes. “Përkundër këtyre masave, kërkojmë nga qytetarët që të kenë kujdes maksimal, veçanërisht gjatë vozitjes dhe ecjes në zona me mundësi rrëshqitjeje”, përfundon njoftimi. / Telegrafi /