Fillim bombastik i sezonit të shkëmbimeve: Trae Young dërgohet në një nga ekipet më të dobëta në NBA

Ylli i NBA-së dhe Atlanta Hawks, Trae Young, do ta vazhdojë karrierën e tij te Washington Wizards, pas një hapjeje bombastike të periudhës së shkëmbimeve në ligën më të fortë të basketbollit në botë. Young (27), katër herë pjesë e All-Star, u shkëmbye te Wizards në këmbim të CJ McCollum dhe Corey Kispert, duke i dhënë fund qëndrimit të tij tetëvjeçar në Atlanta. Vendimi i Young lidhet edhe me dëshirën për t’u ribashkuar me Travis Schlenk, drejtuesin ekzekutiv të Washingtonit, i cili e kishte përzgjedhur atë në Draftin e vitit 2018. Washington Wizards, që aktualisht ndodhen pranë fundit të Konferencës Lindore me rekord 10-26, e shohin Young si një figurë kyçe në projektin e tyre të rindërtimit, me synimin për t’u rikthyer në garën për playoff në vitet e ardhshme. Megjithatë, sezoni aktual ka qenë i vështirë për Young për shkak të problemeve me lëndimet. Ai ka luajtur vetëm 10 ndeshje, por sërish ka regjistruar mesatarisht 25 pikë për ndeshje. BREAKING: The Atlanta Hawks are trading four-time NBA All-Star Trae Young to the Washington Wizards for CJ McCollum and Corey Kispert, sources tell ESPN. pic.twitter.com/WIf8rhrRFu — Shams Charania (@ShamsCharania) January 8, 2026 Basketbollisti shpreson t’i lërë pas problemet me gjurin dhe kofshën pas transferimit te Wizards. Në drejtim të kundërt, CJ McCollum pritet të sjellë eksperiencë dhe stabilitet te Hawks, ndërsa Corey Kispert (26) shton thellësi dhe energji në përbërjen e Atlantës. /Telegrafi/