Komuna e Drenasit ka njoftuar se pas reshjeve të borës, kompania e kontraktuar për mirëmbajtjen dimërore ka nisur punën që në orët e hershme të mëngjesit për pastrimin e rrugëve dhe sigurimin e qarkullimit normal. Sipas njoftimit zyrtar, ekipet komunale janë të angazhuara në terren dhe po punojnë intensivisht në pastrimin e borës në rrugët kryesore dhe dytësore të komunës. “Ekipet janë në terren dhe po punojnë intensivisht për pastrimin e borës dhe sigurimin e qarkullimit normal në rrugët kryesore dhe dytësore”, thuhet në njoftimin e Komunës së Drenasit. Nga komuna u është bërë thirrje vozitësve që të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të jenë të pajisur me pajisje dimërore, duke kërkuar kujdes të shtuar gjatë vozitjes. “Vozitësit obligohen t’i kenë pajisjet dimërore dhe të kenë kujdes të shtuar gjatë vozitjes”, thekson njoftimi. Aktualisht, sipas komunës, shumica e rrugëve janë të kalueshme. Megjithatë, dy segmente rrugore vazhdojnë të mbeten të bllokuara. “Të gjitha rrugët janë të kalueshme, përveç rrugës për tek Guri i Plakës, në fshatin Çikatovë e Vjetër, si dhe rrugës për tek Kroi i Mbretit, në lagjen Bucolli, të cilat janë të pakalueshme si pasojë e reshjeve të shiut”, njofton Komuna e Drenasit. Nga komuna kanë falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe kanë bërë të ditur se situata po monitorohet vazhdimisht. / Telegrafi /