Aksioni në BKS, Policia: U arrestuan 39 persona dhe u sekuestruan mbi 1.3 milion euro

Policia e Kosovës ka njoftuar përmes Facebook-ut se sot ka zhvilluar një aksion të gjerë policor në tërë territorin e vendit, nën dyshimet për keqpërdorime në Byronë Kosovare të Sigurimeve. Operacioni, i realizuar në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, është rezultat i një hetimi disa mujor për krime ekonomike. Gjatë aksionit janë arrestuar 39 persona të dyshuar, ndërsa janë sekuestruar mbi 1.3 milion euro në xhirollogari bankare, 23,700 euro para të gatshme, ari, aksesorë, orë dore, dy armë zjarri, pajisje elektronike, kontrata dhe dokumente të tjera relevante. Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e veprimtarive të kundërligjshme dhe forcimin e sundimit të ligjit. Ndryshe, edhe Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Petrit Kryeziu, tha në një konferencë për media se cak i hetimeve që nisën në marsin e vitit të kaluar janë ish-drejtori ekzekutiv, Sami Mazreku, dhe ish-drejtori i Financave i BKS-së, Valon Berisha. Mazreku dhe Berisha - të cilët u arrestuan gjatë bastisjeve të sotme - dyshohen se i kanë keqpërdorur autorizimet e BKS-së duke ua mundësuar personave të ndryshëm, dhe përmes tyre edhe, të kryejnë transaksione të jashtëligjshme. Kryeprokurori Kryeziu tha Mazreku e Berisha “kanë arritur përfitime të mëdha për vete dhe i kanë shkaktuar dëm BKS-së”. “Po ashtu, ata kanë keqpërdorur autorizimet ekonomike dhe kanë përpiluar dokumente të falsifikuara, ku ne deri në këtë fazë kemi vlerësuar se ato dokumente të dyshuara i kanë përdorur për përfitime personale dhe i kanë shkaktuar dëm BKS-së në vlerë prej 1 milion e 43 mijë euro”, tregoi Kryeziu./Telegrafi/