Shkëndija riformaton skuadrën, dy largime të menjëhershme

Pas afrimeve të Fahd Dzengue dhe Drilon Islamit, KF Shkëndija ka zyrtarizuar edhe dy largime brenda së njëjtës ditë, duke mbyllur bashkëpunimin me mesfushorin kosovar Kamer Qaka dhe mbrojtësin strugan Egzon Belica, njofton Telegrafi. Ndarja me Kamer Qakën është bërë me marrëveshje të përbashkët mes palëve. Mesfushori kosovar ishte pjesë e rëndësishme e kuqezinjve në dy periudha të ndryshme, fillimisht nga janari 2021 deri në janar 2022 dhe më pas nga janari 2023, duke kontribuar në sukseset e klubit dhe duke qenë pjesë e skuadrës që fitoi dy tituj kampion, në vitet 2021 dhe 2025. Vendimi për ndarje vjen në mirëkuptim të plotë, për t’i dhënë lojtarit më shumë hapësirë për aktivizim të rregullt në vazhdim të karrierës. Rrugët janë ndarë gjithashtu edhe me mbrojtësin Egzon Belica. Pas diskutimeve mes lojtarit dhe drejtuesve të klubit, u vlerësua se interesi i përbashkët i të dy palëve është që futbollisti të gjejë një ambient ku do të ketë më shumë mundësi për lojë të vazhdueshme. Belica iu bashkua Shkëndijës në afatin kalimtar të verës së kaluar, në një periudhë kur klubi ishte i angazhuar në tri fronte: kampionat, Kupë dhe UEFA Ligën e Konferencës. KF Shkëndija ka shprehur mirënjohje për kontributin, profesionalizmin dhe korrektësinë e treguar nga të dy futbollistët gjatë kohës sa ishin pjesë e klubit, duke u uruar shumë suksese në vazhdim të karrierës së tyre, ndërsa dyert e klubit mbeten gjithmonë të hapura për ta. /Telegrafi/