Piu nga një gotë me stemë të Arsenalit, trajneri i Tottenham përballet me kërkesa për shkarkim

Tifozët e Tottenham Hotspur kanë reaguar me indinjatë pas publikimit në rrjete sociale të një fotografie ku trajneri i skuadrës, Thomas Frank, shihet duke pirë nga një gotë letre me stemën e Arsenalit, rivalit të përjetshëm të “Spurs”. Në një moment delikat për klubin, ku Tottenhami renditet vetëm në vendin e 14-të në tabelën e Ligës Premier, imazhi ka shtuar edhe më shumë presion mbi trajnerin danez, i cili tashmë raportohet se është pranë shkarkimit. Duke marrë parasysh rivalitetin historik mes dy klubeve londineze, fotografia është parë nga tifozët si e papranueshme. Thomas Frank... what's that in your hands? pic.twitter.com/bySo5ovsUI — B/R Football (@brfootball) January 7, 2026 I pyetur për situatën, Frank mohoi çdo qëllim të keq, duke sqaruar se gjithçka ka qenë një keqkuptim. “Absolutisht nuk e kam vërejtur. Do të kishte qenë budallallëk i pastër nëse do ta dija që stema e Arsenalit ishte në gotë dhe do ta merrja. Nuk do të bëja kurrë diçka të tillë me qëllim”, deklaroi trajneri i Tottenhamit. Megjithatë, pavarësisht shpjegimit të tij, besimi i tifozëve mbetet i lëkundur. Fati i Frank në stol duket se do të varet kryesisht nga rezultatet sportive. Mediat angleze raportojnë se një eliminim nga FA Cup ndaj Aston Villës këtë fundjavë mund t’i kushtojë atij vendin e punës, duke e bërë përballjen vendimtare për të ardhmen e tij në klub. /Telegrafi/ REVEALED: How Thomas Frank drank from an Arsenal cup ?☕️ pic.twitter.com/fKDazIG8Vo — Daily Mail Sport (@MailSport) January 8, 2026