Shtëllunga deri në qiell, shkrumbohet tregu i rrobave të përdorura në Tiranë

Një zjarr i përmasave masive ka rënë mbrëmjen e sotme në Tiranë, duke përfshirë një zonë industriale dhe tregtare. Sipas raportimeve, flakët kanë “pushtuar” disa magazina të tregut të rrobave të përdorura, të cilat ndodhen përgjatë rrugës “5 Maji”. Për shkak të natyrës së materialeve që ndodhen në magazina (tekstile, rroba), zjarri ka marrë përmasa të mëdha në një kohë të shkurtër, duke e bërë të vështirë ndërhyrjen e menjëhershme. Tym i zi dhe flakë të larta janë të dukshme nga disa zona të Tiranës. Deri më tani, raportohet për dëme materiale, me disa magazina që dyshohet se janë përfshirë nga flakët. Fatmirësisht, raportohet se nuk ka persona të lënduar apo rrezik për jetën e banorëve përreth, megjithëse paniku ka qenë i madh. Ende nuk dihen shkaqet që kanë shkaktuar këtë zjarr masiv. Ekspertët pritet të nisin hetimet sapo të bëhet e mundur shuarja e plotë e flakëve. Shumë forca zjarrfikëse dhe mjete policie ndodhen aktualisht në vendngjarje duke punuar për lokalizimin e vatrës./RTSH