Redaktimi i imazheve në mjetin Grok AI të X është kufizuar vetëm për abonentët me pagesë, sipas një mesazhi të shfaqur nga chatbot. Përdoruesit ishin në gjendje të ngarkonin një fotografi dhe t'i kërkonin Grokut ta ndryshonte imazhin, por sistemi i Al tani u përgjigjet kërkesave me këtë mesazh: "Gjenerimi dhe redaktimi i imazheve aktualisht janë të kufizuara vetëm për abonentët që paguajnë". Kjo vjen pasi Fondacioni i Mbikëqyrjes së Internetit (IWF) paralajmëroi se kriminelët përdorën Grok për të krijuar imazhe të abuzimit seksual me fëmijë. X dhe xAI, të dyja në pronësi të miliarderit Elon Musk, janë kritikuar ashpër ditët e fundit pasi shumë përdorues, kryesisht gra, thanë se kishin parë imazhe seksuale të gjeneruara nga Al të vetes në X. Kryeministri britanik Keir Starmer e quajti këtë "të turpshme" dhe "të neveritshme". Ai i tha X "ta merrte kontrollin mbi këtë çështje". Ndryshe, Musk tha se një version i ri i Grok ishte publikuar dhe i nxiti përdoruesit të përditësonin aplikacionin e tyre, megjithëse nuk ishte menjëherë e qartë se çfarë përditësimesh përmbante versioni i ri. Manjati i teknologjisë ka këmbëngulur më parë se "kushdo që përdor Grok për të krijuar përmbajtje të paligjshme do të vuajë të njëjtat pasoja sikur të kishte ngarkuar përmbajtje të paligjshme". X ka thënë se ndërmerr veprime kundër përmbajtjes së paligjshme, përfshirë materialin e abuzimit seksual me fëmijë, "duke e hequr atë, duke pezulluar përgjithmonë llogaritë dhe duke bashkëpunuar me qeveritë lokale dhe zbatimin e ligjit sipas nevojës". /Telegrafi/