Shqipëria të shtunën do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, gjersa moti parashikohet me vranësira mesatare e të dendura. Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se do të ketë reshje shiu të herëpashershme me intensitet mesatar në formën e shtrëngatave në pjesën më të madhe të vendit që në orët e para të 24-orëshit. Në zonën e veriperëndimit dhe jugperëndimit reshjet parashikohen me intensitet hera-herës deri të lartë. Gjatë ditës reshjet e shiut priten të jenë prezentë me intensitet mesatar në pjesën më të madhe të territorit dhe në mënyrë të izoluar shtrëngata afatshkurtra shoqëruar me shkarkesa elektrike. Në zonën e Alpeve reshje bore në formën e stuhive të dëborës, në veri-verilindje në lartësitë mbi 100 metër dhe jug-juglindje në lartësinë mbi 200-300 metër reshje dëbore me intensitet deri mesatar. Në pjesën tjetër të vendit në orët e pasdites reshje bore me intensitet të ulët (flokë bore). Mjegull e dendur/mjegullinë dhe shikim i reduktuar për shkak të reshjeve të shiut dhe dëborës. Era do të fryjë me drejtim veriperëndim – jugperëndim me shpejtësi mesatare 8 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore era pritet të fitoi shpejtësi deri në 24 m/s. Deti - Valëzimi forcës 4-6 ballë. /Telegrafi/