Policia e Shtetit ka bërë të ditur se në Kamëz, magazinoheshin veshje të kontrabanduara, të cilave iu viheshin logo false të markave të njohura ndërkombëtare. Policia në një njoftim për media thekson se lidhur me këtë kanë arrestuar një shtetas turk, një tjetër është në kërkim, ndërkaq po ashtu kanë sekuestruar sasi të mëdha veshjesh, stampa/logo të markave të njohura ndërkombëtare. Lexoni të plotë njoftimin e Policisë së Shqipërisë: Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DPPSh, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, operacioni policor i koduar “Brands 2”. Zbulohet në Kamëz, 1 magazinë ku stampoheshin veshje të kontrabanduara, me logo false. Arrestohet 1 shtetas turk, shpallet në kërkim 1 tjetër shtetas turk si dhe procedohen në gjendje të lirë 3 punonjëse. Sekuestrohen sasi të mëdha veshjesh/këpucësh, makineri lazeri, printimi ose stampimi, stampa/logo të markave të njohura ndërkombëtare, 1 celular, si dhe sende/dokumente të tjera që do t’i shërbejnë hetimit. Si rezultat i administrimit të informacionit të siguruar se në Kamëz, magazinoheshin veshje të kontrabanduara, të cilave iu viheshin logo false të markave të njohura ndërkombëtare, Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, me mbështetjen e Komisariatit të Policisë Nr. 5 dhe Forcës së Posaçme “Shqiponja”, organizoi dhe finalizoi operacionin “Brands 2”. Gjatë operacionit u arrestua shtetasi turk O. S., 46 vjeç, u shpall në kërkim shtetasi turk M. K., 50 vjeç, si dhe u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për shtetaset L. M, Sh. M dhe Sh. B, punonjëse në këtë magazinë. Gjatë ndërhyrjes, shërbimet e Policisë konstatuan se në magazinë kishte mallra që dyshohet se kishin shmangur detyrimin doganor, si dhe makineri për falsifikimin dhe stampimin e logove që vendoseshin në veshje dhe këpucë të ndryshme. Punohet për lokalizimin dhe kapjen e 50-vjeçarit të shpallur në kërkim. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Punësimi i paligjshëm”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”. /Telegrafi/