Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka vazhduar edhe për dy muaj paraburgimin Fatmir Sheholli, i arrestuar për spiunazh. Lajmin e konfirmoi për Telegrafin, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore të Prishtinës. “Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurit F.SH. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të Spiunazhit në vazhdimësi, gjyqtari i procedurës paraprake pas shqyrtimit të kërkesës, me datë 09.01.2026 përmes Aktvendimit ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, ashtu që të njëjtit iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 muaj”, tha Gashi për Telegrafi.com. Ndryshe, Fatmir Sheholli u arrestua më 09 tetor 2025. Ai dyshohet se ka vepruar sipas udhëzimeve të zyrtarit të lartë të BIA-s serbe, Bojan Dimiq, duke mbledhur dhe shpërndarë informacion rreth pronave, aktiviteteve biznesore dhe funksionimit të institucioneve në Kosovë. Në dosjen e Prokurorisë Speciale thuhet se Sheholli ishte i rekrutuar nga BIA dhe kishte ofruar ndihmë të vazhdueshme për këtë shërbim të huaj, duke marrë informacione që më pas i shpërndante edhe në media online në Kosovë. Ai ishte nën hetime nga gushti i vitit 2024 dhe ishte edhe në përgjim fizik. Gjatë bastisjeve të Policisë së Kosovës më 9 tetor 2025 në banesën e Shehollit janë sekuestruar një numër i pajisjeve elektronike, dokumentacion dhe sende të tjera. /Telegrafi/