Burimi: The Independent Përkthimi: Telegrafi.com Regjimi islamik i Iranit duket se po lëkundet. Në javët e fundit, qindra mijëra protestues kanë dalë në rrugë për të shprehur zemërimin e tyre ndaj përkeqësimit të kushteve ekonomike - të shkaktuara nga sanksionet ndërkombëtare - të cilat kanë bërë që monedha e tyre të bjerë ndjeshëm dhe çmimet e mallrave elementarë të rriten në mënyrë të vrullshme. Të paktën 38 protestues që kërkonin ndryshimin e regjimit, janë vrarë deri më tani në përplasje të dhunshme me policinë, dhe 2.200 janë arrestuar. Përballë asaj që po kthehet shpejt në një nga sfidat më të mëdha ndonjëherë për Iranin dhe udhëheqjen e tij klerikale, ajatollahët - në një moment të rrallë dobësie - ndalën internetin, teksa ndërtesat qeveritare në Teheran u vunë në zjarr. Sigurisht, Republika Islamike ka mbijetuar edhe më parë valë protestash. Në vitin 2009, akuzat për manipulim zgjedhor shkaktuan protesta masive në rrugë dhe një reagim jashtëzakonisht brutal nga forcat e sigurisë së Ajatollah Khameneit. Në vitin 2022, më shumë se 500 persona u raportuan të vrarë gjatë protestave pas vdekjes në paraburgim të një gruaje të re, Mahsa Amini, e cila ishte arrestuar për refuzimin për të vënë në kokë shaminë e detyrueshme. Por, këtë herë, ndjesia është ndryshe. Sidomos pas luftës me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara në qershorin e vitit të kaluar, një revolucion kulturor mes njerëzve të lindur pas vitit 1979 solli braktisjen e shamisë së detyrueshme nga shumë gra - jo të gjitha të reja - në qytetet e mëdha. Është një shenjë e dukshme e dobësimit të kontrollit të regjimit islamik. Përveç protestave të dhunshme në rrugë në pjesën më të madhe të vendit - tashmë në ditën e tyre të 13-të - rënia dramatike në frekuentimin e xhamive të zakonshme, në gjithë Iranin, mund të shihet gjithashtu si simptomë e refuzimit të gjerë të Islamit “zyrtar” - një lloj greve e heshtur. Në të kaluarën, çmimi i lartë i naftës i jepte regjimit islamik burime për t’i mbajtur në besnikëri forcat e tij të sigurisë dhe pjesët kryesore të popullsisë. Sanksionet nënkuptojnë që paratë po shterojnë. Edhe mbështetja gjithashtu. Në qytetin Abadan, njësitë policore të regjimit hodhën armët dhe iu bashkuan protestuesve. Khamenei foli në faljen e së premtes, por duke iu drejtuar një salle të mbyllur lutjeje me besnikë të përzgjedhur me kujdes, vështirë se do të përballej me një moment çausheskian. (Në dhjetor 1989, udhëheqësi komunist i Rumanisë thirri një miting masiv për të treguar qëndrueshmërinë e regjimit. Gjashtë javë pas rrëzimit të Murit të Berlinit, gjërat u përkeqësuan ...) Duke parë mënyrën se si ra Shahu në 1979, një ngjarje që çoi në themelimin e Republikës Islamike, është e rëndësishme të kujtojmë se, përveç protestave masive në rrugë, ishin grevat e punëtorëve të naftës dhe tregtarëve në pazaret e Teheranit që paralizuan jetën ekonomike. Rënia e Murit të Berlinit në nëntor 1989, që shkaktoi ndryshime të mëdha politike dhe ekonomike në gjithë Evropën e ndarë, dhe revolucionet kryesisht pa gjak në shtetet e bllokut sovjetik që ajo solli, nuk janë precedentë për mënyrën se si mund të zhvillohet një revolucion iranian. Një krahasim më i mirë mund të jetë sulmi mbi Bastijën më 1789. Ashtu si Revolucioni Francez, për të qenë vërtet epokal, çdo revoltë e suksesshme do të ndodhë kundër një regjimi ideologjik të krijuar brenda vendit, sesa ndaj njërit të imponuar nga jashtë, siç ishte regjim komunist i varur nga Kremlini. Ky revolucion iranian tashmë i ka të gjitha ato shenja dalluese. Teksa Mariana, personifikimi i Republikës Franceze - ajo që mishëron Lirinë, Barazinë, Vëllazërinë - mban një shami të kuqe në pikturën e famshme të Delacroix, që përkujton Revolucionin e Korrikut të vitit 1830, gratë trime të Iranit, në një shfaqje mahnitëse të sfidës ndaj fesë, kanë qenë të zëna duke e hedhur poshtë të tyren [shaminë]. Për çdo figurë të regjimit që tani ikën nga Irani, jugu i Libanit i kontrolluar nga Hezbollahu është më i mundshëm sesa Moska si vendstrehim i preferuar. Por, dhjetëra mijëra zbatues të urryer të regjimit në nivel rruge, nuk do të kenë ku të ikin nëse trazirat vazhdojnë. Prandaj, ata po godasin tani - por, shumë lehtë mund të përballen me drejtësi të rrugës nëse regjimi shembet. Një spastrimi brutal - që pasqyron ekzekutimet në Bastijë, dhe të shtënat e linçimet në fillim të vitit 1979, ndonëse të trashëgimtarëve të drejtësisë së turmës iraniane - është i mundshëm. Shpërbërja e regjimit mund të sjellë shpërbërje rajonale, veçanërisht në zonat e pakicave etnike, si rajonet kurde në Perëndim ose në Balokistan në Juglindje. Një paqëndrueshmëri e tillë mund të zbutet nëse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre nxitojnë të heqin sanksionet ndaj një Irani të ri dhe të ofrojnë përfitime të shpejta ekonomike. Por, Amerika dhe Izraeli gjithashtu do të kërkojnë një fund të çdo programi bërthamor. Tash për tash, duhet të shpresojmë për një Iran paqësor dhe demokratik - sido që të përfundojë në librat e historisë. /Telegrafi/