Trajneri i Bayern Munichut, Vincent Kompany, ka këmbëngulur se nuk ka folur me Lennart Karl për deklaratat e tij të fundit rreth Real Madridit, pasi ritheksoi se talenti i ri ka kërkuar falje për “gabimin e tij në komunikim”. Trajneri i bavarezëve doli në mbrojtje të 17-vjeçarit, i cili ngriti shumë pikëpyetje më herët këtë muaj duke zbuluar se është “ëndrra” e tij të luajë për gjigantët spanjollë të Real Madridit. Në një deklaratë tronditëse gjatë një eventi me tifozët e Bayernit më herët këtë javë, Karl pranoi se “padyshim” ka ambicie të luajë për Real Madridin në një moment të karrierës së tij, duke befasuar të pranishmit. Tashmë, Karl ka marrë mbështetje nga trajneri Kompany, i cili vlerësoi se nuk kishte nevojë ta merrte mënjanë për një bisedë, pasi ai reagoi duke punuar “vërtet shumë fort” në stërvitje gjatë kësaj jave. “U përpoqa ta shihja situatën nga larg. Po shikoj pamjen e përgjithshme dhe kontekstin: çfarë bën çdo ditë një Lennart Karl 17-vjeçar? Ai stërvitet mirë dhe shumë fort. Sa 17-vjeçarë e bëjnë këtë?”. “Ai punon jashtëzakonisht fort për ekipin në aspektin mbrojtës, ai jep maksimumin çdo ditë në stërvitje, në ndeshje dhe në takime”. “Ndoshta ka bërë një gabim të vogël në komunikim, por pamja e përgjithshme për të në moshën 17-vjeçare”. “Ai është ende i fokusuar në gjërat e duhura. Ai pati një javë shumë të mirë stërvitore. Ka bërë shumë për t’i merituar minutat e tij”. “Ai e thirri menjëherë Christoph-in dhe Max-in dhe kërkoi falje për atë që tha. Unë u përpoqa të jem i vetmi person që nuk flet me të për këtë”. “TikTok-u foli për këtë, Instagrami foli, BILD foli, Kicker, Sky, çfarëdo qoftë, të gjithë kishin një mendim. Kështu që u përpoqa të jem i vetmi që nuk flet me të për këtë”, ka deklaruar Kompany./ Telegrafi /