Sulmuesi kosovar Florent Hasani gjatë janarit bëri një lëvizje të bujshme për t’iu bashkuar liderit aktual të Ligës së Parë Turke, Amedspor nga Boluspori. 28-vjeçari ka qenë padyshim lojtari më i mirë te Boluspori, ku realizoi 14 gola brenda vetëm 19 paraqitjeve, ndërsa kishte raportime se largimi erdhi si pakënaqësi për disa paga të papaguara. Megjithatë, Hasani në një intervistë për Telegrafi ka bërë me dije se këto nuk janë të vërteta, por thjesht e ka bindur oferta e Amedsporit. Ai fillimisht falënderoi Bolusporin për mbështetjen, sidomos trajnerin që edhe ia dha shiritin e kapitenit, gjë që ndikoi t’i rritet besimi. “Gjashtë muajt e parë kanë qenë fantastik, me ndeshje të mira e gola. Shpresoj që edhe në pjesën e dytë të sezonit të vazhdoj me këtë ritëm”. “Sekreti ishte tek vetëbesimi që kisha. Isha i sigurt që do të kaloja një sezon të mirë, po ashtu edhe trajneri që më gradoj me shiritin e kapitenit ishte një shtysë e madhe që të jem lider dhe të jap më shumë se 100 për qind”. I pyetur për arsyet e largimit, Hasani ishte i qartë: Erdhën ofertat pas formës së mirë, ndërsa Amedspori rezultoi të jetë skuadra e duhur. “Jo, për pagat e papaguara gjithmonë ka zgjidhje, por pas gjysmë sezone shumë të mirë ofertat erdhën dhe kuptohet, bisedova me klubin dhe zgjodha ofertën më të mirë që erdhi”. “Klubi mori shumën e transferit ngase kisha ende kontratë, kurse unë tash vazhdoj tek Amedspori, klub i madh me shumë tifozë pas vetës dhe favoriti kryesor për t’u inkuadruar në Superligë”. Hasani ka mbetur i mahnitur gjithashtu edhe me pritjen fantastike që i është bërë që kur iu bashkua skuadrës turke. “Pritja ishte jashtëzakonisht e mirë nga të gjithë, sidomos prej tifozëve. Filluam gjysmën e sezonit të dytë me një ndeshje derbi dhe kundërshtar direkt për inkuadrimin në Superligë. Atmosfera ishte perfekte, si dhe festa me tifozët pas ndeshjes”. Në fund, sulmuesi kosovar nënvizoi se synimi kryesor mbetet inkuadrimi në elitën e futbollit turk. “Objektivat e mia janë që të vazhdoj me të njëjtin ritëm dhe me gola deri në fund, si dhe që të inkuadrohemi në Superligë me ekipin”, përfundoi ai. Në ndeshjen e parë, Hasani u inkuadrua në pjesën e dytë gjatë fitoes 1-0 të Amedsporit kudër Corum. Ai zhvilloi 24 minuta./ Telegrafi /