Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” bën të ditur se, si pasojë e vërshimeve të fundit dhe bazuar në monitorimin e vazhdueshëm të cilësisë së ujit (24/7), është konstatuar se uji në fshatin Miradi e Poshtme aktualisht nuk rekomandohet për përdorim për pije dhe përgatitje ushqimi. Sipas njoftimit, deri në një njoftim të dytë, banorët këshillohen që ujin ta përdorin vetëm për nevoja të higjienës shtëpiake, si larje dhe pastrim, duke shmangur përdorimin e tij për konsum njerëzor. KRU “Prishtina” bën të ditur se ekipet përgjegjëse po e monitorojnë situatën në mënyrë të vazhdueshme dhe po ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për përmirësimin e cilësisë së ujit. “Sapo të konfirmohet se uji është i sigurt për përdorim për pije, do t’ju njoftojmë menjëherë”, thuhet në njoftimin e kompanisë.