Komuna e Prishtinës ka njoftuar se gjatë ditës së sotme janë realizuar mbi 30 intervenime në të gjitha zonat e Kryeqytetit si pasojë e reshjeve të shumta. Sipas njoftimit, intervenimet janë kryer nga Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca, Drejtoria e Investimeve Kapitale, Drejtoria e Shërbimeve Publike, Kompania Gjelbër, Policia e Kryeqytetit dhe njësitë e Brigadës Profesionale të Zjarrfikësve. Komuna ka theksuar se ekipet kanë qenë të angazhuara me reagim të menjëhershëm dhe koordinim të vazhdueshëm ndërinstitucional, duke shprehur falënderim dhe mirënjohje për përkushtimin dhe punën e palodhshme të zyrtarëve, policëve, zjarrfikësve dhe punëtorëve në shërbim të qytetarëve. Ndërkohë, një qytetar ka bërë të ditur për Telegrafin se në rrugën “Faton Shabani” në Prishtinë, banorët po përballen me vështirësi serioze për të hyrë dhe dalë nga shtëpitë e tyre si pasojë e reshjeve të shumta. Sipas tij, grumbullimi i ujit po paraqet rrezik edhe për trafostacionin që furnizon zonën me energji elektrike. Situata në këtë pjesë të qytetit mbetet shqetësuese për banorët, ndërsa autoritetet komunale kanë njoftuar se po vazhdojnë angazhimin në terren për menaxhimin e situatës./Telegrafi/