Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar sot veprën dhe figurën e Enver Malokut, intelektualit, atdhetarit dhe bashkëpunëtorit të ngushtë të Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova. Osmani e ka cilësuar Malokun si “zërin e urtësisë dhe të dinjitetit në kohët më të rënda për Kosovën”, duke theksuar rolin e tij si arkitekt i komunikimit politik që e çoi të vërtetën e Kosovës përtej kufijve. “Enver Maloku besoi te fuqia e fjalës, te dialogu dhe te vizioni rugovian i lirisë, një Kosovë e lirë, demokratike dhe e orientuar drejt Perëndimit”, ka deklaruar Presidentja Osmani. Ajo ka shtuar se Maloku i shërbeu atdheut me integritet dhe përkushtim, duke lënë gjurmë të thella në procesin e shtetformimit të Kosovës. Osmani ka rikujtuar gjithashtu se vrasja e Enver Malokut mbetet ende një krim i pazbardhur, duke theksuar se vendosja e autorëve para drejtësisë është obligim i institucioneve dhe borxh ndaj së vërtetës. “Është obligim i institucioneve të drejtësisë dhe borxh ndaj zërit të së vërtetës sonë”, ka theksuar Osmani. Në fund, ajo ka nderuar jetën dhe veprën e tij me fjalët: “Lavdi jetës dhe veprës së Enver Malokut!” /Telegrafi/