Instituti Nobel i përgjigjet pretendimeve se Maria Corina Machado mund t'ia japë Çmimi për Paqe, presidentit Donald Trump

Organizata që mbikëqyr Çmimin Nobel për Paqen ka hedhur poshtë pretendimet se udhëheqësja e opozitës venezueliane, Maria Corina Machado, mund t'ia japë çmimin e saj të fundit presidentit Donald Trump. Instituti Norvegjez i Nobelit tha të premten se sapo të shpallet një Çmim për Paqen, ai nuk mund të revokohet, transferohet ose ndahet, shkruan Sky News , përcjell Telegrafi. "Vendimi është përfundimtar dhe vlen përgjithmonë", tha ai. Deklarata vjen pasi znj. Machado tha se do të donte ta jepte ose ta ndante çmimin me z. Trump, i cili mbikëqyri një operacion amerikan për të kapur presidentin venezuelian Nicolas Maduro. Maduro po përballet me akuza për trafik droge në Nju Jork. "Sigurisht që do të doja të isha në gjendje t'i thoja personalisht se ne besojmë - populli venezuelian, sepse ky është një çmim i popullit venezuelian - sigurisht që dëshiron, t'ia japë atij dhe ta ndajë me të", tha znj. Machado në një intervistë të hënën. "Ajo që ai ka bërë është historike. Është një hap i madh drejt një tranzicioni demokratik". Kujtojmë se znj. Machado ia dedikoi çmimin Trump dhe popullit të Venezuelës menjëherë pas shpalljes së çmimit. Z. Trump, i cili ka kërkuar hapur Çmimin Nobel për Paqen që kur është rikthyer në detyrë, ka shprehur prej kohësh interes për ta fituar vetë atë. Megjithatë, pas kapjes së Maduros, z. Trump deri më tani ka mbështetur një figurë tjetër për të udhëhequr Venezuelën - presidenten në detyrë Delcy Rodriguez, e cila më parë shërbeu si zëvendëspresidente e Maduros. Ndërsa z. Trump e ka përshkruar znj. Machado si një "grua shumë të mirë", ai ka thënë se aktualisht asaj i mungon mbështetja e mjaftueshme brenda Venezuelës për të qeverisur. Trump tha të enjten se znj. Machado planifikon të vizitojë javën e ardhshme dhe e përshkroi idenë e ofrimit të një Çmimi për Paqen si një "nder të madh". / Telegrafi /