Prokuroria e Tiranës do të marrë në pyetje Emiliano Shullazin, për llogari të hetimit të atentatit pranë aeroportit të Rinasit në nëntor 2025, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani. Në ngjarje u plagos rëndë edhe Muçi Shaljani, i cili ndërroi jetë më vonë në spital. Shullazi, aktualisht në burg si i dënuar për "gjobëvëbie" dhe "grup kriminal", por edhe si i dyshuar në një tjetër hetim të SPAK do të pyetet nëse ka dyshime për personat që kanë organizuar atentatit ndaj mikut të tij të ngushtë, Dani, shkruan A2 CNN. Gjatë ditëve të fundit janë marrë dëshmitë e disa personave që janë gjendur në Rinas, pasi ka dyshime se grupi kriminal ka patur informatorë në aeroport, që i kanë përditësuar çast pas çasti për lëvizjet e viktimave. Gildmando Dani ishte lidhje e afërt e Shullazit. Si pjesë grupit kriminal të drejtuar prej tij Dani vuajti një dënim me burg për "gjobëvënie", nga ku u lirua në tetor 2024. Dani u qëllua me breshëri automatike nga disa persona në një pritë në rrethrrotullimin pranë aeroportit të Rinasit, teksa udhëtonte në një mjet të drejtuar nga Shaljani, pak minuta pasi ishin kthyer të dy nga Spanja.