Trump me një ultimatum serioz për Kubën: Bëni një marrëveshje, para se të jetë tepër vonë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të dielën sugjeroi që Kuba duhet të arrijë një marrëveshje me Uashingtonin, duke paralajmëruar se kombi ishullor nuk do të marrë më naftë ose para nga Venezuela. Venezuela është furnizuesi më i madh i naftës në Kubë, por që nga arrestimi i presidentit venezuelian, Nicolas Maduro, nga forcat amerikane, Trump ka arritur të ushtrojë presion mbi presidenten e përkohshme Delcy Rodriguez që të dërgojë naftë venezueliane në Shtetet e Bashkuara. "NUK DO TË KETË MË NAFTË APO PARA QË SHKOJNË NË KUBË - ZERO! Unë sugjeroj fuqimisht që ata të bëjnë një marrëveshje, PARA SE TË JETË SHUMË VONË", shkroi Trump në platformën e tij të mediave sociale Truth Social të dielën. "Kuba jetoi, për shumë vite, me sasi të mëdha NAFTË dhe PARA nga Venezuela", tha Trump. Inteligjenca amerikane ka prezantuar një pamje të zymtë të situatës ekonomike dhe politike të Kubës, por vlerësimet e saj nuk ofrojnë mbështetje të qartë për parashikimin e Trump se ishulli është "gati të bjerë", raportoi Reuters të shtunën, duke cituar tre persona të njohur me vlerësimet konfidenciale. Pikëpamja e CIA-s është se sektorët kryesorë të ekonomisë kubaneze, siç janë bujqësia dhe turizmi, janë të tendosur rëndë nga ndërprerjet e shpeshta të energjisë, sanksionet tregtare dhe probleme të tjera. Humbja e mundshme e importeve të naftës dhe mbështetjes tjetër nga Venezuela, për dekada një aleate kyçe, mund ta bëjë qeverisjen më të vështirë për administratën që ka sunduar Kubën që kur Fidel Castro udhëhoqi një revolucion në vitin 1959. Andaj, për Kubën, humbja e naftës venezueliane është shkatërruese. Midis janarit dhe nëntorit të vitit të kaluar, Venezuela dërgoi mesatarisht 27,000 fuçi në ditë (bpd) në ishull, duke mbuluar afërsisht 50% të deficitit të naftës së Kubës, sipas të dhënave të transportit dhe dokumenteve nga kompania shtetërore e naftës venezueliane PDVSA. / Telegrafi /