Jennifer Lawrence ka zbuluar se kishte vënë syrin te roli që e shndërroi kolegen e saj, Emma Stone, në një yll ndërkombëtar. Pas roleve dytësore në filma shumë të suksesshëm si Superbad dhe Zombieland, Stone u shndërrua në një nga aktoret kryesore të Hollywood-it falë komedisë gjimnaziste të vitit 2010, Easy A. Easy A u publikua në të njëjtin vit kur Lawrence u shfaq në filmin që i solli famën, Winter’s Bone, rol për të cilin ajo fitoi nominimin e saj të parë për çmimin Oscar. Dy vite më vonë, Lawrence u bashkua me elitën e Hollywood-it falë rolit të Katniss Everdeen në filmin e parë të sagës shumë të suksesshme The Hunger Games. Stone, 37 vjeçe, dhe Lawrence, 35 vjeçe, ndajnë një miqësi të ngushtë prej vitesh, por aktorja e fundit ka zbuluar së fundmi se ato kanë konkurruar edhe profesionalisht mes tyre. “Roli që unë e doja dhe që ajo e fitoi ishte Easy A”, tha Lawrence këtë të martë gjatë një interviste live në sallën 92NY Kaufmann Concert Hall në New York, sipas People. “Isha e çmendur pas Easy A dhe vërtet mendoj se duhej ta kisha marrë unë rolin, apo jo? Filmi mund të kishte dalë shumë mirë”, u shpreh me humor aktorja e American Hustle. Easy A ishte një adaptim komik i romanit The Scarlet Letter të Nathaniel Hawthorne, ku Stone interpreton një nxënëse të zgjuar dhe thumbuese të shkollës së mesme, e cila bëhet qendra e një skandali.