Muzika popullore kolumbiane është në zi pas vdekjes së këngëtarit të njohur Yeison Jimenez, i cili humbi jetën në një aksident ajror të shtunën, më 10 janar, në departamentin Boyaca të Kolumbisë. Artisti po udhëtonte me një avion të vogël drejt Medellin-it për të vazhduar angazhimet e tij profesionale, kur avioni u rrëzua në një zonë rurale mes komunave Paipa dhe Duitama. Si pasojë e aksidentit, humbën jetën të gjashtë personat që ndodheshin në bord. Foto: X Autoritetet konfirmuan se nuk kishte të mbijetuar dhe se avioni u dogj plotësisht pas përplasjes. Përveç Yeison Jimenez, në aksident vdiqën piloti Hernando Torres dhe pasagjerët Juan Manuel Rodríguez, Oscar Marin (asistenti i artistit), Jefferson Osorio (përfaqësuesi i tij) dhe Weisman Mora. Qeveria e Boyacas shpalli zi zyrtare dhe shprehu ngushëllime për familjarët e viktimave. Edhe presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, reagoi duke konfirmuar se aksidenti nuk pati të mbijetuar dhe duke dërguar mesazh mbështetjeje për familjen dhe ndjekësit e këngëtarit. Yeison Jimenez Vdekja e tij ka shkaktuar reagime të shumta dhe emocione të forta në rrjetet sociale. Yeison Jimenez ishte 34 vjeç dhe me origjinë nga Manzanares në departamentin Caldas. Gjatë karrierës së tij mbi dhjetëvjeçare, ai u shndërrua në një nga figurat më të rëndësishme të muzikës popullore kolumbiane, duke e çuar këtë zhanër drejt një audience më të gjerë. Këngë si “Aventurero”, “Vete” dhe “Mi venganza” e bënë atë një nga artistët më të dashur në vend. Në momentin e tragjedisë, ai ishte në kulmin e aktivitetit artistik, pasi një ditë më parë kishte performuar në Malaga dhe ishte planifikuar të këndonte po atë mbrëmje në Marinilla, Antioquia. /Telegrafi/