Ferid Agani: E vlerësoj bashkëpunimin me LDK-në, rezultati zgjedhor nuk e zbeh atë

Kryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani, që garoi në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se rezultati i dobët nuk e zbeh “vlerën dhe bashkëpunimin politik” me partinë më të vjetër në vend. “Pas përfundimit të procesit zgjedhor, dëshiroj të shpreh vlerësimin tim institucional dhe politik për bashkëpunimin parazgjedhor ndërmjet Partisë së Drejtësisë dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Pavarësisht faktit se ky bashkëpunim nuk rezultoi me përfaqësim të drejtpërdrejtë parlamentar për Partinë e Drejtësisë në këtë përbërje të Kuvendit, e konsideroj të rëndësishme të theksoj se fushata u zhvillua në frymë korrektësie, respekti reciprok dhe partneriteti të sinqertë politik”, tha ai një deklaratë. “Rezultati zgjedhor, përfshirë edhe faktin që personalisht nuk arrita të siguroj mandat deputeti, pavarësisht mbështetjes së konsiderueshme qytetare, nuk e zbeh vlerën e bashkëpunimit politik dhe as përgjegjësinë tonë për të kontribuar në stabilitetin institucional dhe proceset e ardhshme shtetformuese”, shtoi ai. Agani tha se “Partia e Drejtësisë mbetet e përkushtuar ndaj vlerave të saj programore dhe shpreh gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit politik e partiak me Lidhjen Demokratike të Kosovës, në funksion të interesit publik, konsolidimit demokratik dhe forcimit të institucioneve të Republikës së Kosovës”. “Në periudhën që vjen, vendi ynë përballet me vendime të rëndësishme politike dhe institucionale. Në këto rrethana, nevojitet maturi, dialog dhe bashkëpunim ndërpartiak – parime të cilat Partia e Drejtësisë do të vazhdojë t’i mbrojë dhe t’i promovojë. Falënderoj të gjithë votuesit që na mbështetën, strukturat e PD-së për angazhimin e tyre, si dhe partnerët tanë politikë në Lidhjen Demokratike të Kosovës për korrektësinë dhe bashkëpunimin gjatë gjithë këtij procesi”.