Kreu i SBASHK-ut kërkon që të shtyhet fillimi i gjysmë-vjetorit të dytë edhe për disa ditë

Reshjet e mëdha të shiut dhe përmbytjet kanë bërë që nisja e gjysmë-vjetorit të dytë të mësimit në shkollat e Kosovës të shtyhet. E nesër pritet që procesi mësimor të rinisë në shumicën e shkollave, përveç atyre në Fushë Kosovë dhe Malishevë. Lidhur me gjendjen, në Klan Kosova foli kreu i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës, Rrahman Jasharaj. Ai tha se më mirë është që mësimi të shtyhet edhe për disa ditë, për shkak të temperaturave tejet të ulëta, dhe problemeve me ngrohjen në disa shkolla. “Edhe unë besoj që drejtoritë arsimore bashkë edhe me drejtorët e shkollave do ta analizojnë mirë situatën dhe mësimi do të fillojë atëherë kur duhet. Ka informacione se temperaturat do të shkojnë në – shumë gradë dhe një pjesë e shkollave mund të ketë probleme shtesë me ngrohjen”, deklaroi Jasharaj.