Barcelona dhe Real Madridi kanë dhuruar një pjesë të parë spektakolare në finalen e Superkupës së Spanjës, e cila u mbyll me rezultat 2-2 pas 45 minutave dramatike. Barcelona e nisi më mirë ndeshjen dhe gradualisht mori kontrollin e lojës, duke qenë skuadra më këmbëngulëse në fazën ofensive. Rasti i parë serioz erdhi në minutën e 14-të, kur Vinicius Junior depërtoi në zonë, por goditja e tij u ndal nga Joan Garcia. Reagimi i Barcelonës ishte i menjëhershëm. Në minutën e 15-të, Eric Garcia ishte shumë pranë golit pas një goditjeje këndi, por mbrojtja e Real Madridit ndërhyri në momentin e fundit për ta larguar topin nga vija fatale. Presioni katalanas u konkretizua në minutën e 36-të, kur Raphinha realizoi një gol të jashtëzakonshëm. Braziliani kaloi disa kundërshtarë dhe nga jashtë zone lëshoi një goditje precize në këndin e poshtëm, duke i dhënë epërsinë Barcelonës prej 1-0. Skuadra e Hansi Flickut vazhdoi të shtyjë përpara edhe pas golit. Fermín dhe Lamine Yamal patën raste të pastra në minutat 40 dhe 41, por Thibaut Courtois reagoi në mënyrë vendimtare për të mbajtur Real Madridin në lojë. Megjithatë, në sekondat e fundit të pjesës së parë, Real Madridi barazoi rezultatin. Në minutën e 45+2’, Vinicius Junior realizoi një aksion individual brilant dhe me një goditje të saktë brenda zonës barazoi shifrat në 1-1. Drama nuk përfundoi me kaq. Vetëm dy minuta më vonë, Barcelona reagoi sërish. Pedri gjeti një pasim perfekt në thellësi për Robert Lewandowskin, i cili me shumë qetësi realizoi një parabël të bukur mbi Courtois për golin e epërsisë 2-1 në minutën e 45+4’. Sidoqoftë, vetëm një minuta më vonë Gonzalo Garcia realizoi nga afërsia pas një rivendje këndore (45+6’). Mbetet të shihet se cila skuadër do të arrijë ta fitojë në fund Superkupën e Spanjës, ku na mbesin edhe 45 minuta të zjarrtë./ Telegrafi