Gazetarja e BIRN Serbia, Tijana Uzelac, ka deklaruar se qytetarët në Serbi nuk kanë një pasqyrë reale për jetën në Kosovë, për shkak të dezinformatave dhe raportimit të njëanshëm mediatik. Sipas saj, burimet kryesore të informacionit në Serbi janë kryesisht aktorët politikë, përfshirë partinë në pushtet dhe partitë e tjera, ndërsa mediat luajnë një rol kyç në përhapjen e dezinformatave. Në një intervistë për Kallxo, Uzelac thekson se narrativi dominues në Serbi shpesh e paraqet popullin serb si të pafajshëm në çdo rrethanë, duke anashkaluar kompleksitetin e realitetit në Kosovë. Ajo shton se qytetarët serbë zakonisht nuk janë të informuar për mënyrën se si jetojnë serbët dhe shqiptarët në Kosovë, përveç rasteve kur kanë kontakte të drejtpërdrejta me njerëz nga këto komunitete. Sipas saj, raportimi mediatik i shtrembëruar krijon një perceptim të gabuar për marrëdhëniet ndëretnike dhe për funksionimin e jetës së përditshme në Kosovë. Në përfundim, Uzelac vlerëson se informacionet që qarkullojnë në Serbi janë kryesisht njëanshme, gjë që pamundëson krijimin e një pasqyre reale për jetën në Kosovë dhe realitetin e komuniteteve që jetojnë atje. Ndërkaq, gazetarja tjetër nga Serbia, Maria Popiviq, vlerëson se një nga narrativët kryesorë që u ofrohet votuesve është ai se serbët nuk janë kurrë fajtorë për asgjë, ndërsa përgjegjësia gjithmonë u atribuohet të tjerëve. “Për nevojat e mobilizimit të sa më shumë votuesve, përdoret pikërisht ky narrativ – se serbët nuk janë kurrë fajtorë dhe se gjithmonë fajin e kanë të tjerët. Kjo është diçka që personalisht nuk më pëlqen”, ka deklaruar Popiviq. Ajo thekson se roli i gazetarisë duhet të jetë verifikimi i fakteve dhe ofrimi i një pasqyre të plotë të realitetit, pavarësisht presioneve politike apo interesave të caktuara. “Si gazetare, mendoj se është e domosdoshme të shikohen dhe të verifikohen të gjitha faktet”, ka shtuar ajo. Megjithatë, Popiviq pranon se problemi i mungesës së edukimit mediatik nuk është i kufizuar vetëm në Serbi, por shtrihet edhe në Kosovë dhe Shqipëri. “Në përgjithësi, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi dhe në Shqipëri, ne nuk jemi mjaftueshëm të arsimuar mediatikisht në kuptimin e verifikimit të informacionit që konsumojmë”, ka përfunduar ajo.