Vërshime në qytet, borë në male - Peci monitoron situatën në Shalë të Bajgorës

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka bërë të ditur se po përcjell nga afër punimet për pastrimin e rrugëve në zonat malore të Shalës së Bajgorës, përkundër temperaturave shumë të ulëta. Sipas Pecit, në fshatin Kovaçicë temperaturat kanë zbritur deri në -14 gradë Celsius, ndërsa ekipet komunale po angazhohen për të siguruar qarkullim sa më normal në rrugë. Ai theksoi se Komuna po përballet njëkohësisht me sfida të ndryshme në territorin e saj, përfshirë vërshimet në zonat urbane dhe pastrimin e borës në viset malore. “Në Kovaçicë, ku temperatura në këto momente po shënon -14 gradë, nga afër po e ndjek ecurinë e pastrimit të rrugëve në Shalën e Bajgorës, në këto ditë tejet sfiduese ku në qytet po përballemi me vërshime e në vise malore me pastrimin e borës”, ka deklaruar Peci. Ai ka shtuar se institucionet komunale mbeten të angazhuara për të qenë pranë qytetarëve në çdo rrethanë. “Në shërbim të qytetarëve në çdo situatë”, ka theksuar kryetari i Mitrovicës. Komuna e Mitrovicës ka bërë të ditur se ekipet përkatëse janë në terren dhe po vazhdojnë punën për mirëmbajtjen e rrugëve dhe menaxhimin e situatës, në varësi të kushteve atmosferike. / Telegrafi /