Qeveria e re e Kosovës, sipas analistit të politikave Agron Demi, duhet ta shfrytëzojë vitin 2026 për të vendosur themele të qarta zhvillimore dhe për të shmangur politikat afatshkurtra që nuk prodhojnë rezultate të qëndrueshme. Në “Përballje Podcast” , me kryeredaktorin e Telegrafit Muhamet Hajrullahu, Demi theksoi se fokusi i institucioneve të reja duhet të jetë funksionalizimi i shtetit dhe orientimi drejt reformave që ndikojnë drejtpërdrejt në ekonomi dhe shoqëri. - YouTube www.youtube.com Sipas tij, prioriteti i parë duhet të jetë stabiliteti institucional dhe miratimi në kohë i buxhetit. “Miratimi i buxhetit është pika e parë dhe më e rëndësishme, sepse pa të bllokohen pagesat dhe funksionimi normal i shtetit”, tha Demi, duke nënvizuar se vonesat politike krijojnë kosto të drejtpërdrejta ekonomike. Në aspektin e zhvillimit ekonomik, Demi vlerësoi se Qeveria e re duhet të rikthejë vëmendjen te investimet kapitale dhe projektet zhvillimore. “Investimet kapitale kanë qenë për vite motor i zhvillimit ekonomik, krijimit të vendeve të punës dhe rritjes afatgjatë”, u shpreh ai, duke shtuar se pa projekte konkrete infrastrukturore është e vështirë të flitet për zhvillim real. Një tjetër fokus i domosdoshëm, sipas Demit, është digjitalizimi i administratës publike dhe modernizimi i shërbimeve shtetërore. “Digjitalizimi duhet të ndikojë mënyrën se si funksionon shteti – nga arsimi dhe shëndetësia, te projektet kapitale dhe raporti i qytetarëve me institucionet”, tha ai shkruan Telegrafi. Foto:Ridvan Slivova Demi theksoi gjithashtu se arsimi dhe inovacioni duhet të trajtohen si shtylla të zhvillimit afatgjatë. Sipas tij, ndryshimet teknologjike dhe zhvillimi i inteligjencës artificiale po e transformojnë tregun global të punës, ndaj Kosova duhet të përgatisë kapitalin njerëzor për këto sfida. “Nuk kemi luksin të vazhdojmë me politika të vjetra në një botë që po ndryshon kaq shpejt”, u shpreh ai. Në përmbyllje, Demi tha se suksesi i Qeverisë së re do të matet me aftësinë për të kaluar nga menaxhimi i përditshëm drejt një vizioni zhvillimor. “Këto janë vitet kur duhet të vendosen themelet për dekadat e ardhshme, sepse vendimet e sotme do ta përcaktojnë zhvillimin e Kosovës në të ardhmen”, përfundoi ai . /Telegrafi/.