Trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso ka zbuluar se Vinicius Junior ishte ai që kërkoi zëvendësim në minutat e fundit të finales së Superkupës së Spanjës. Tekniku spanjoll befasoi shumëkënd në minutën e 82-të, kur vendosi ta largojë nga loja Vinicius Jr në stadiumin “Alinma Bank”. Braziliani kishte qenë lojtari më i rrezikshëm i “Los Blancos” në humbjen 3-2, duke shënuar golin e parë për skuadrën e tij në mënyrë spektakolare dhe duke krijuar vazhdimisht raste me shpejtësinë dhe depërtimet e tij nga krahu i majtë. Me Real Madridin që po humbiste me një gol dhe fundi i ndeshjes që po afrohej, Vinicius Jr dukej lojtari më i mundshëm për të gjetur golin e barazimit ndaj Barcelonës. Megjithatë, ai u zëvendësua nga Franco Mastantuono, një vendim që la të habitur tifozët madrilenë anembanë botës. “Viniciusi ishte shumë i mirë deri në fund. Ai kërkoi të dilte nga loja për shkak të lodhjes. Kishte shumë lagështi”. Vini's back. pic.twitter.com/X4EmxEs8e5 — Sports Illustrated FC (@SI_FootballClub) January 11, 2026 “Ai ishte një kërcënim i vazhdueshëm, goli ishte spektakolar dhe i shkaktoi shumë probleme kundërshtarit në krahun e tij”, shtoi trajneri i Real Madridit. Numri 7 i madrilenëve e fitoi qartë duelin me Jules Kounde gjatë gjithë ndeshjes, duke e kaluar vazhdimisht qendërmbrojtësin francez me shpejtësinë e tij. Vinicius Jr madje e turpëroi mbrojtësin e Barcelonës, në aksionin që i parapriu golit të tij individual mbresëlënës. Ky realizim ishte kontributi i 16-të i Vinicius Jr me gol ose asist në 15 finale të zhvilluara me fanellën e Real Madridit, duke barazuar rekordin historik të klubit që mbahej nga Cristiano Ronaldo, Karim Benzema dhe Ferenc Puskas. Njëkohësisht, goli i dha fund edhe një serie prej 16 ndeshjesh pa shënuar për yllin brazilian./ Telegrafi