Temperaturat -37 gradë Celsius bllokojnë mijëra turistë në Finlandë

Mijëra turistë kanë mbetur të bllokuar në Finlandën veriore pasi fluturimet në Aeroportin e Kittila u anuluan për shkak të të ftohtit të madh. Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, temperaturat në aeroport ranë në -37C të dielën në mëngjes, pas disa ditësh me mot të ngjashëm arktik, duke e bërë të vështirë shkrirjen e akullit të aeroplanëve dhe operacione të tjera. Kittila ndodhet në Lapland finlandeze në veriun pak të populluar të vendit. Pavarësisht se janë mësuar me temperaturat e ftohta të dimrit, finlandezët janë prekur nga i ftohti i këtij viti, i cili është më i rëndë se në vitet e tjera dhe ka prekur rajone të gjera të Evropës veriore, qendrore dhe lindore. Reshjet e dendura të borës, erërat e forta dhe rrugët e akullta e kanë bërë udhëtimin të rrezikshëm në të gjithë kontinentin. Ndërkohë në Gjermani, pasagjerët e trenave po përjetonin vonesa dhe anulime të dielën pasi reshjet e dendura të borës çuan në mbylljen e të gjitha shërbimeve nga operatori hekurudhor Deutsche Bahn në veri të vendit. Autoritetet njoftuan se për shkak të temperaturave të ulëta, të gjitha shkollat do të mbeten të mbyllura dhe do të kalojnë në mësim online të hënën në North Rhine-Westphalia, shteti perëndimor më i populluar i vendit. Ndërsa në vendet baltike të Estonisë dhe Lituanisë, shoferëve iu kërkua të shtynin të gjitha udhëtimet jo thelbësore për shkak të stuhive të pritura, ndërsa Letonia fqinje lëshoi një alarm për borë për perëndimin e vendit. / Telegrafi /