Qeveria italiane po shqyrton mundësinë e ndërhyrjes në strukturën e aksionarëve të Pirelli-t, për të lehtësuar zgjerimin e kompanisë në tregun amerikan. Shkak kryesor është pjesëmarrja prej 34% e grupit shtetëror kinez Sinochem, e cila sipas palës italiane po krijon pengesa në SHBA, për shkak të kufizimeve ndaj teknologjisë kineze në industrinë automobilistike. Ligji italian i njohur si “golden power” i jep shtetit të drejtën të kufizojë të drejtat e votimit të aksionarëve në kompani strategjike. Sinochem raportohet se është e hapur për të reduktuar ose shitur pjesën e saj dhe ka angazhuar një bankë investimesh për këshillim. Nëse nuk arrihet marrëveshje deri në fillim të vitit, qeveria mund të ndërhyjë drejtpërdrejt. Çështja bëhet edhe më urgjente për shkak të rregullave të reja amerikane që hyjnë në fuqi këtë vit. /Telegrafi/