Policia e Shtetit ka goditur një rast të kultivimit të bimëve narkotike në një apartament në Sarandë. Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se gjatë veprimeve, u sekuestruan 260 bimë narkotike dhe 26.6 kilogramë kanabis, si dhe pajisje të ndryshme për kultivimin e tyre. Tutje në njoftim thuhet se në lidhje me këtë ngjarje, është arrestuar shtetasi E.P., 30 vjeç, i cili u kap duke kujdesur për bimët në apartament. “Një tjetër person, shtetasi M.Q., 26 vjeç, është shpallur në kërkim, pasi dyshohet si bashkëpunëtor në këtë aktivitet. Gjithashtu, katër punonjës të OSHEE-së në Sarandë po hetohen për shpërdorim detyre. Ata janë shtetasit H.A., 54 vjeç, H.C., 34 vjeç, E.P., 47 vjeç dhe F.H., 32 vjeç”, thuhet në njoftim. Po ashtu sipas njoftimit thuhet se policia bën me dije se apartamenti ishte përshtatur për rritjen, tharjen dhe përpunimin e bimëve narkotike, ndërsa pajisjet elektrike që përdoren për kultivim furnizoheshin në mënyrë të paligjshme. “Përveç bimëve dhe kanabisit, janë sekuestruar 70 llamba me reflektorë, pajisje elektrike, një automjet, tre telefona celularë dhe materiale të tjera që shërbenin për aktivitetin e paligjshëm. Nga pamjet shihen efektivët e policisë të cilët fillimisht trokasin dhe më pas hyjnë në banesën e përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike”, thuhet në postim. /Telegrafi/