Kryetari i Fushë Kosovës zhvillon takime me komunitetet pakicë pas vërshimeve

Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza, ka zhvilluar sot takime zyrtare me përfaqësuesit e komuniteteve pakicë që jetojnë në komunë, përkatësisht komunitetin ashkali, egjiptian, serb dhe rom. Gjatë takimeve, Prebreza theksoi rëndësinë e diskutimit mbi gjendjen e komuniteteve pas vërshimeve të fundit, duke përfshirë nevojat emergjente dhe sfidat aktuale me të cilat përballen banorët e prekur. Po ashtu, në kuadër të këtyre konsultimeve, u diskutua edhe procesi i zgjedhjes së Nënkryetarit të Komunës nga radhët e komuniteteve pakicë, sipas kornizës ligjore në fuqi. “Këto takime u zhvilluan në frymë bashkëpunimi institucional dhe dialogu konstruktiv, parime që do të udhëheqin edhe të gjitha proceset dhe vendimmarrjet e ardhshme”, ka shkruar Prebreza në Facebook. Takimet pasqyrojnë angazhimin e komunës për integrimin e komuniteteve pakicë në vendimmarrje dhe adresimin e nevojave emergjente pas situatave të jashtëzakonshme. / Telegrafi /