Kuvendi Komunal i Mitrovicës ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt, në të cilën janë formuar komitetet obligative të kësaj asambleje komunale. Mbledhja është zhvilluar nën drejtimin e Kryesuesit të Kuvendit Komunal, Safet Kamberi, në prani të Kryetarit të Komunës, Faton Peci, si dhe të asamblistëve komunalë. Gjatë kësaj mbledhjeje janë shqyrtuar procesverbali nga mbledhja e kaluar, propozim-vendimi për formimin e Komitetit për Politikë dhe Financa, si dhe propozim-vendimi për formimin e Komitetit për Komunitete. Me vendim të Kuvendit Komunal, Komiteti për Politikë dhe Financa do të përbëhet nga shtatë anëtarë: tre anëtarë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dy nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), një nga partia Guxo, si dhe Kryesuesi i Kuvendit Komunal, i cili vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Ndërkaq, Komiteti për Komunitete do të ketë në përbërje një anëtar nga PDK, një nga LVV, një nga LDK, një nga Nisma, një nga Aleanca Kosova e Re (AKR), një nga FeD, si dhe pesë anëtarë nga komunitetet. Formimi i këtyre komiteteve obligative është në përputhje me kornizën ligjore për funksionimin e Kuvendit Komunal dhe krijon bazën për shqyrtimin e çështjeve kyçe të politikave financiare dhe të komuniteteve në Komunën e Mitrovicës. / Telegrafi /