Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë, të dytën pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, në të cilën është diskutuar analiza e brendshme e procesit zgjedhor dhe e rezultatit elektoral. Gjatë mbledhjes janë adresuar në mënyrë gjithëpërfshirëse çështjet që lidhen me zgjedhjet e fundit, ku PDK është renditur si forca e dytë politike, duke ruajtur mbështetjen e saj tradicionale. Po ashtu, Kryesia ka nxjerrë rekomandime konkrete për hapat e mëtejmë politikë dhe organizativë të partisë në të gjitha nivelet. Si hap i parë drejt forcimit të mëtejmë të strukturave partiake, Kryesia e PDK-së ka miratuar vendimin për fillimin e përgatitjeve për zgjedhjet e brendshme, të cilat do të mbahen në të gjitha nivelet organizative, nga nëndegët dhe degët deri te organet qendrore të partisë. Sipas njoftimit, procesi pritet të nisë në javët e ardhshme përmes emërimit të grupeve punuese dhe përpilimit të hapave konkretë, me synimin për një proces gjithëpërfshirës, demokratik dhe transparent. Ky proces ka për qëllim konsolidimin e strukturave, forcimin e unitetit të brendshëm dhe përgatitjen e partisë për sfidat e ardhshme politike. Partia Demokratike e Kosovës ka theksuar se, mbi bazën e reflektimit dhe përgjegjësisë politike, do të vazhdojë të forcojë rolin e saj si parti kryesore opozitare, e organizuar dhe e besueshme, në shërbim të qytetarëve dhe interesit të Republikës së Kosovës.