Pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit për Siguri Kombëtare në Serbi, mbajtur më 4 janar 2026, presidenti i Serbisë Alleksandar Vuçiq ka intensifikuar retorikën alarmuese për zhvillimet e sigurisë në Kosovë, duke pretenduar se vendi po armatoset në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe se në rajon po konsolidohet një bashkëpunim i ri ushtarak që, sipas tij, cenon drejtpërdrejt interesat dhe sigurinë e Serbisë. Vuçiqi e ka cilësuar këtë situatë si një kërcënim ekzistencial ndaj vendit të tij, duke theksuar se Serbia po kalon në një fazë të re të gatishmërisë mbrojtëse. Ai e mbylli adresimin e tij me një paralajmërim të qartë, duke u shprehur: “ Tashmë po përgatitemi për mbrojtje nga ata që jo më në mënyrë të fshehtë, por hapur po dërgojnë kërcënime ndaj vendit tonë” . Pretendimi për armatosjen e Kosovës si rrezikim i stabilitetit rajonal dhe sigurinë e Serbisë Vuçiqi pohon se procesi i transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri po zhvillohet me mbështetje të fuqive perëndimore dhe Turqisë, në shkelje të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara. Sipas tij, rendi ndërkombëtar që parashihte mungesën e një ushtrie vendore në Kosovë është zhbërë në praktikë, ndërsa pajisja dhe trajnimi i forcave të Kosovës po krijon një realitet të ri ushtarak që rrezikon stabilitetin rajonal dhe sigurinë e Serbisë. A qëndron kjo? Rezoluta 1244 nuk e pengon furnizimin me armë të Kosovës. Megjithëse ajo ruan kornizën e përkohshme ndërkombëtare të sigurisë, Kosova në vitin 2008 shpalli pavarësinë dhe ka siguruar njohje ndërkombëtare, si dhe ka nënshkruar marrëveshje dypalëshe ushtarake dhe për armatim me shtete anëtare të NATO-s. (shih këtu dhe këtu ). Armatosja nuk e cenon mandatin e KFOR-it dhe nuk përbën militarizim të ndaluar. Sipas Ligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës , FSK-ja ka disa kompetenca dhe disa parime. Në to përfshihen vetëm aspektet e mbrojtjes së sovranitetit dhe të integritetit territorial dhe të interesave të Kosovës. Kosova ka arritur marrëveshje për blerje armësh edhe me shtete të tjera të NATO-s dhe këtë e ka bërë tash e sa vjet, qëkur u miratuan tri ligje në dhjetor të vitit 2018 për transformimin e FSK-së në ushtri. KFOR-i është misioni i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë. Trupat e tij kanë për mandat të ofrojnë mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë. Mandati i tyre buron nga rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që parashihte tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare (Shih këtu ). Pas tranzicionit të FSK-së në ushtri nëpërmjet ligjeve, kryeministri i atëkohshëm i Kosovës, Ramush Haradinaj, pati thënë se “ FSK-ja nuk do ta zëvendësojë KFOR-in ” e se FSK-ja është e gatshme të shërbejë bashkë me forcat e KFOR-it. ShBA-ja e pati konsideruar të drejtë sovrane të Kosovës transformimin e FSK-së në forcë “me mandat për mbrojtje territoriale” (shih këtu ). Pretendimi se marrëveshja ushtarake Kosovë-Shqipëri-Kroaci është në dëm të Serbisë Një tjetër element i narrativës së Vuçiqit është ekzistenca e një bashkëpunimi të ngushtë ndërmjet Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit, të cilin ai e përshkruan si një aleancë ushtarake de facto. Ai pretendon se këto tri palë po koordinohen në blerjen dhe zhvillimin e pajisjeve ushtarake, përfshirë sisteme më të avancuara luftarake, duke e interpretuar këtë bashkëpunim si përpjekje për të ndryshuar ekuilibrat e sigurisë në rajon në dëm të Serbisë. A qëndron kjo? Në Tiranë, më 18 mars, Kosova, Shqipëria dhe Kroacia formalizuan një deklaratë të përbashkët për zgjerimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe siguri. Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i atëhershëm i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, si dhe nga homologët e tij, Pirro Vengu i Shqipërisë dhe Ivan Anushiq i Kroacisë. Në deklaratën e nënshkruar nga treshja, u përcaktuan katër pika bashkëpunimi: Nxitja e kapaciteteve mbrojtëse dhe bashkëpunimi për industrinë përkatëse; Rritja e ndërveprueshmërisë përmes edukimit, trajnimeve dhe ushtrimeve; Luftimi i kërcënimeve hibride dhe rritja e qëndrueshmërisë; Ofrimi i mbështetjes së plotë për integrimin euroatlantik. Ministri i atëhershëm i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, bënte të ditur se angazhimi i parë i paraparë në deklaratën e përbashkët është realizimi i blerjeve të përbashkëta të armatimit, duke bërë një porosi të vetme nga ShBA-ja në emër të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, me qëllim uljen e kostos dhe përshpejtimin e afateve të dorëzimit. Marrëveshja e bashkëpunimit mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, sipas deklaratave të ministrave të Mbrojtjes të vendeve nënshkruese të marrëveshjes, nuk ka karakter agresiv, por synon forcimin e bashkëpunimit në siguri, rritjen e ndërveprueshmërisë përmes trajnimeve dhe kontributin në paqen rajonale, pa përbërë kërcënim për asnjë shtet. Ajo reflekton orientimin e përbashkët drejt integrimit euroatlantik dhe mbështetjen e Kosovës nga dy vende anëtare të NATO-s në kuadër të stabilitetit dhe sigurisë së Ballkanit Perëndimor. Në këtë kontekst, roli i NATO-s dhe misionit KFOR mbetet faktor kyç stabilizues, ndërsa marrëveshja është në përputhje me përpjekjet afatgjata për ruajtjen e paqes dhe parandalimin e konflikteve në rajon. Pra, pretendimet e Alleksandar Vuçiqit se armatosja e Kosovës dhe marrëveshja trilaterale mes saj, Shqipërisë dhe Kroacisë përbëjnë kërcënim për Serbinë dhe stabilitetin rajonal, nuk qëndrojnë në bazë të fakteve të verifikueshme. Procesi i ndërtimit të kapaciteteve të sigurisë së Kosovës zhvillohet në përputhje me legjislacionin vendor, praktikat ndërkombëtare dhe me mbikëqyrjen e vazhdueshme të NATO-s përmes KFOR-it, ndërsa bashkëpunimi trilateral ka karakter mbrojtës dhe integrues, jo agresiv. Këto zhvillime reflektojnë orientimin euroatlantik të rajonit dhe synojnë forcimin e paqes dhe stabilitetit, e jo krijimin e rreziqeve të reja të sigurisë për Serbinë apo për komunitetet në Ballkanin Perëndimor./ Hibrid.info.